‏ 2 Chronicles 11

1Roboami, me të arritur në Jeruzalem, thirri shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur, për të luftuar kundër Izraelit dhe për t'i kthyer kështu mbretërinë Roboamit. 2Por fjala e Zotit iu drejtua kështu Shemajahut, njeriu i Perëndisë, duke thënë: 3"Foli Roboamit, birit të Salomonit, mbretit të Judës, dhe tërë Izraelit në Judë dhe në Beniamin, dhe u thuaj atyre: 4Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse kjo gjë vjen nga unë"". Atëherë ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa pa dalë kundër Jeroboamit. 5Roboami banoi në Jeruzalem dhe ndërtoi disa qytete për mbrojtje në Judë. 6Ai ndërtoi Betlemin, Etamin, Tekoan, 7Beth-Tsurin, Sokon, Adulamin, 8Gathin, Mareshahun, Zifin, 9Adoraimin, Lakishin, Azkahun, 10Tsorahun, Ajalonin dhe Hebronin, që u bënë qytete të fortifikuara në Judë dhe në Beniamin. 11Përforcoi fortesat dhe vendosi komandantë dhe depo ushqimesh, vaji dhe vere. 12Në çdo qytet vendosi mburoja dhe shtiza dhe i bëri jashtëzakonisht të forta. Kështu ai pati me vete Judën dhe Beniaminin. 13Përveç kësaj nga të gjitha territoret e tyre priftërinjtë dhe Levitët e tërë Izraelit morën anën e tij. 14Në të vërtetë Levitët braktisën tokat e tyre për kullotë dhe pronat e tyre dhe shkuan në Judë dhe në Jeruzalem, sepse Jeroboami me bijtë e tij i kishte përzënë nga shërbimi si priftërinj të Zotit, 15dhe kishte caktuar priftërinj për vendet e larta, për demonët dhe për viçat që kishte bërë. 16Mbas Levitëve ata nga gjithë fiset e Izraelit që kishin vendosur në zemër të tyre të kërkonin Zotin, Perëndinë e Izraelit, vajtën në Jeruzalem për t'i ofruar flijime Zotit, Perëndisë të etërve të tyre. 17Kështu e përforcuan mbretërinë e Judës dhe e bënë të qëndrushëm për tre vjet Roboamin, birin e Salomonit, sepse për tre vjet ndoqën rrugën e Davidit dhe të Salomonit. 18Roboami mori për grua Mahalathën, bijën e Jerimothit, birit të Davidit dhe i Abihajlit, bijës së Eliabit që ishte bir i Isait. 19Ajo i lindi fëmijët Jeush, Shemariah dhe Zaaham. 20Mbas asaj mori për grua Maakahën, bijën e Absalomit, e cila i lindi Abijahun, Atain, Zizan dhe Shelomithin. 21Roboami e donte Maakahën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha bashkëshortet e konkubinat e tij (ai mori tetëmbëdhjetë bashkëshorte dhe shtatëdhjetë konkubina dhe i lindën njëzet e tetë djem dhe gjashtëdhjetë vajza). 22Roboami e caktoi Abijahun, birin e Maakahës, si të parë që të ishte princ midis vëllezërve të tij, sepse mendonte ta bënte mbret. 23Ai veproi me zgjuarsi dhe i shpërndau disa nga bijtë e tij në të gjitha vendet e Judës dhe të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara; u dha atyre ushqime me shumicë dhe kërkoi për ta shumë bashkëshorte.

Copyright information for Alb
The selected Bible will not be clickable as it does not support the Vocabulary feature. The vocabulary is available by hovering over the verse number.